Grevë te Barcelona para El Clasicos, punëtorët paralajmërojnë protesta
Barcelona përballet me një problem të ri para ndeshjes së madhe kundër Real Madridit.
Punëtorët e klubit me kontrata të përhershme sezonale kanë paralajmëruar grevë treditore, e cila përkon me fundjavën e El Clasicos, më 25 tetor në “Spotify Camp Nou”.
Greva është planifikuar të nisë në mesnatën e 23 tetorit dhe të përfundojë në orën 06:00 të mëngjesit të 26 tetorit.
Punëtorët ankohen për kushtet e punës
Punonjësit, të cilët kujdesen për organizimin dhe funksionimin e ndeshjeve, pretendojnë se kushtet e tyre të punës janë përkeqësuar gradualisht.
Ata denoncojnë mungesën e stafit, parregullsitë kontraktuale, mosrespektimin e marrëveshjeve dhe të drejtave të përcaktuara në kontratat kolektive, si dhe kalimin e disa shërbimeve te kompanitë e jashtme.
Aktualisht, Barcelona ka rreth 60 punëtorë në këtë kategori, ndërsa përfaqësuesit e tyre vlerësojnë se nevojiten nga 90 deri në 95 punonjës për t'i përmbushur të gjitha detyrat.
Sipas raportimit, punësimi i fundit në këtë kategori është bërë në tetor të vitit 2024.
Nuk rrezikohet zhvillimi i El Clasicos
Pavarësisht paralajmërimit për grevë, drejtuesit e Barcelonës besojnë se aktiviteti i klubit do të vazhdojë normalisht dhe se zhvillimi i ndeshjes kundër Real Madridit nuk është në rrezik.
Ndërkohë, negociatat mes palëve pritet të vazhdojnë në ditët e ardhshme, me synimin për të gjetur një marrëveshje.
Protesta nuk prek vetëm El Clasicon. Në të njëjtën fundjavë, në listën e aktiviteteve të prekura janë edhe ndeshja e basketbollit Barcelona–Casademont Zaragoza, ajo e hendbollit Barcelona–Rebi Cuenca dhe përballja e ekipit të femrave Barcelona–Granada.
Kështu, klubi katalanas synon ta zgjidhë konfliktin para një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, për të shmangur komplikimet në organizimin e fundjavës. /Zëri