Rama inspekton dëmet në Tiranë, pas protestave të dhunshme
Pak orë pas përfundimit të ditës së tretë të protestës së nxënësve dhe studentëve, kryeministri Edi Rama ka inspektuar dëmet e shkaktuara në kryeqytet.
Kreu i Qeverisë ka vizituar në këmbë zonën përballë Piramidës, ku gjatë protestës së një dite më parë protestuesit dogjën një prej kioskave dhe shkulën pllakat e trotuarit.
Protesta e nxënësve dhe studentëve në Tiranë u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e policisë. Protestuesit hodhën gurë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.
Nxënës dhe studentë bojkotuan procesin mësimor dhe dolën në rrugë jo vetëm në kryeqytet, por edhe në Shkodër, Korçë dhe Durrës, ku kërkuan ndryshime përmes marshimeve në qytetet e tyre.
Ndërsa Policia e Shtetit ka shprehur keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta në rrjetet sociale, përmes të cilave pretendohet se në radhët e saj janë angazhuar punonjës policie nga Serbia.
"Përhapja e këtyre pretendimeve tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe synon të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit", thuhet në reagim.
Policia e Shtetit sqaron se në tubimin e të enjtes, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave.
Në reagim thuhet se pretendimi për angazhimin e punonjësve të policisë nga Serbia është tërësisht i pavërtetë.