Rama paralajmëron rrezikun e humbjes së Lojërave Mesdhetare 2030

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke pretenduar se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka konfirmuar mungesën e përgjigjeve institucionale.

Në një postim publik, ai ka kritikuar Qeverinë qendrore dhe Komitetin Organizativ, duke ua atribuuar atyre përgjegjësinë për rrezikimin e këtij organizimi, transmeton Zeri.info.

Rama ka thënë se Komuna e Prishtinës ka punuar në masterplanin e Lojërave, ka përcaktuar projektet dhe lokacionet, si dhe i ka votuar ato në Asamblenë Komunale.

Ai ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili udhëheq Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare, duke pretenduar se mungesa e veprimeve nga institucionet qendrore po e rrezikon realizimin e projektit.

Sipas Ramës, më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e Lojërave.

“Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!”, shkroi Rama.

Prishtina u përzgjodh si nikoqire e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në shtator të vitit 2023. Organizimi i tyre është projekt që kërkon bashkëpunim mes Komunës së Prishtinës, Qeverisë së Kosovës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës. /Zëri