Abdixhiku konfirmon pjesëmarrjen e LDK-së në Grupin punues për Specialen

Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë pjesë e Grupit Punues të formuar për Gjykatën Speciale, ka konfirmuar kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se për përfaqësimin e LDK-së në këtë grup ka propozuar deputetin Kujtim Shala, ndërsa në rast se ai nuk mund të marrë pjesë, përfaqësimin do ta marrë përsipër shefja e Grupit Parlamentar, Jehona Lushaku-Sadriu.

“Po, natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së Grupit Parlamentar të propozojë akademik Kujtim Shalën. Nëse akademik Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do të jetë vetë Jehona Lushaku-Sadriu. Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, tha ai.