Ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj për dhunën gjatë protestës në Tiranë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Tiranë ka reaguar sërish pas përplasjeve të shënuara pasditen e së mërkurës gjatë protestës që nisi në Rrugën e Durrësit dhe më pas u zhvendos para Kryeministrisë.

Në një njoftim drejtuar shtetasve amerikanë, ambasada thekson se protesta pranë Sheshit Skënderbej është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve.

Sipas ambasadës, protesta mund të shtrihet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare përreth, duke sjellë prani të shtuar policore, pengesa në trafik, devijime dhe mbyllje rrugësh.

Personeli i ambasadës është këshilluar të shmangë demonstratat, ndërsa shtetasve amerikanë u është bërë thirrje të qëndrojnë vigjilentë dhe t’i japin përparësi sigurisë personale.

Ambasada gjithashtu u kërkon të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve të zbatimit të ligjit për t’u informuar mbi zhvillimet e fundit.