Aktakuzë ndaj shtatë personave për kontrabandim me migrantë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për veprat penale “Pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.H., A.B., Sh.T., E.Zh., G.Sh., A.M. dhe L.A., gjatë viteve 2023-2024, në territorin e Kosovës, kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të organizuar, me qëllim të kontrabandimit të migrantëve për përfitim të kundërligjshëm material.

“Të pandehurit akuzohen se, në kuadër të një strukture të qëndrueshme kriminale, me role të ndara, planifikim paraprak dhe koordinim të vazhdueshëm, kanë organizuar, mundësuar dhe realizuar kontrabandimin e migrantëve të huaj, përkatësisht shtetas të Sirisë, Afganistanit, Irakut, si dhe të Lindjes së Mesme dhe Azisë, të cilët nuk posedonin dokumentacion të rregullt për hyrje apo qëndrim në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit i kanë siguruar migrantët në territorin e Shqipërisë dhe i kanë futur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë, jashtë pikave të autorizuara kufitare, përmes shtigjeve malore dhe rrugëve alternative në zonën Gorozhup–Vërmicë.

“Sipas aktakuzës, për secilin migrant është paguar një shumë deri në katër mijë euro për të gjithë itinerarin e migrimit drejt Evropës”, thuhet në njoftim.