Zbulohet data e mundshme e shpalljes së dënimit për Manchester Cityn

Kreu i Rregullatorit të Pavarur të Futbollit (IFR) ka bërë të ditur se kur Manchester City duhet të presë të mësojë se çfarë dënimi do të marrë për shkeljen e rregullave financiare të Premierligës, nëse vendimi që e shpalli fajtor për shumicën e akuzave konfirmohet pas ankesës.

Një komision i pavarur e shpalli Manchester Cityn fajtor për shumicën e 115 akuzave të ngritura nga Premierliga.

City u gjet fajtor për përdorimin e marrëveshjeve “fiktive” për të fryrë shifrat e të ardhurave dhe për të ulur kostot, duke organizuar marrëveshje të maskuara financimi me partnerë komercialë, me vlerë deri në 900 milionë paund, gjatë periudhës 2009–2018. Gjatë kësaj periudhe, klubi fitoi tre tituj të Premierligës.

Manchester City mund të përballet me një sërë ndëshkimesh, përfshirë pezullimin nga kampionati, zbritjen e pikëve, përsëritjen e ndeshjeve, përjashtimin nga liga, detyrimin për të paguar kompensim për klubet e tjera, rënien automatike nga kategoria dhe madje edhe heqjen e titujve të fituar.

Klubi ka apeluar vendimin dhe pretendon se disponon një “tërësi gjithëpërfshirëse provash të pakundërshtueshme” që mbështesin qëndrimin e tij. Rezultati i ankesës pritet të bëhet i ditur brenda 12 javësh.

Sipas kreut të IFR-së, David Kogan, Premierliga dëshiron që çështja të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse vendimi mbetet i pandryshuar, Manchester City pritet t’i mësojë dënimet në fillim të vitit 2027.

Kogan deklaroi për “Times Radio”: “Premierliga ka thënë se dëshiron që kjo çështje të zgjidhet brenda këtij sezoni. Në fakt, vendimin nuk do ta marrë vetë Premierliga, por një komision i pavarur, i përbërë nga tre persona që janë gjyqtarë ose juristë në pension.

Sipas asaj që kuptoj, ekziston një procedurë e përcaktuar, e cila zgjat 12 javë. Për këtë arsye, njerëzit po supozojnë se çështja do të shqyrtohet nga mesi ose fundi i janarit. Por, siç e thashë, ky nuk është procesi ynë, por ai i komisionit të pavarur të Premierligës. Nuk mendoj se mund të nxjerrim ndonjë përfundim përpara se të kemi qartësi të plotë.

Natyrisht, City pretendon se ka një lloj prove vendimtare që do t’i rrëzojë akuzat dhe do ta fitojë ankesën. Ende nuk jemi në pozitën për të gjykuar nëse kjo është e vërtetë apo jo, por mendoj se do ta dimë në fillim të vitit të ardhshëm”, tha ai,.

Kogan ka deklaruar më herët se do të largohet nga posti i tij nëse ndodh ndonjë ndërhyrje politike gjatë procesit.

Kryeministri Andy Burnham është akuzuar se ka mbrojtur pronarët e Manchester Cityt, pasi kishte darkuar me kryetarin e klubit, Khaldoon Al Mubarak, në vitet 2017 dhe 2018.

Kogan shtoi: “Kryeministri është i lirë të thotë çfarë të dëshirojë. Më pyetët nëse ka pasur ndonjë ndërhyrje politike në vendimet që po marrim dhe unë po ju them kategorikisht se nuk ka pasur.

Ne do të marrim një vendim bazuar në prova. Pasi ankesa të jetë shqyrtuar nga komisioni i pavarur i Premierligës, do t’i analizojmë ato prova nga afër. Ne gjithashtu do të kemi kompetenca për të kryer hetimet tona dhe pikërisht këto prova do të përcaktojnë veprimet tona”.

Manchester City rikthehet në aksion në Premierligë më 17 tetor, kur do të luajë në shtëpi kundër Ipswich Townit, pas përballjes në Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germainin.