Cassano: Te Real Madridi duhej të më fusnin në burg, sjelljet e mia ishin katastrofë
Antonio Cassano e ka pranuar se e shpërdoroi mundësinë për të pasur sukses te Real Madridi, duke theksuar se mungesa e disiplinës dhe përkushtimit ia penguan karrierën në klubin madrilen.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “AS”, në prag të ndeshjes Roma – Real Madrid, ish-sulmuesi italian foli për periudhën e tij te gjiganti spanjoll, ku u transferua në vitin 2005.
“Kam pasur shumë talent, por pak sakrificë. Këtë e di e gjithë bota. Nuk e kisha vullnetin e duhur për të ngrënë më pak dhe për të punuar më shumë, por, në mënyrën time, kam qenë i lumtur”, deklaroi Cassano.
Ai i kujtoi edhe paraqitjen e tij në prezantimin te Real Madridi, ku u shfaq me një veshje që nuk ishte aspak e përshtatshme për atë rast.
“Gjithçka është e vërtetë. Nuk e di çfarë më kalonte nëpër mendje para 20 vjetësh. Isha budalla. Kisha veshur një xhaketë të tmerrshme dhe isha veshur në mënyrë të papërshtatshme për atë rast. Por ky isha unë. Ndonjëherë bëja marrëzi, ndërsa në Madrid edhe më shumë”, u shpreh ai.
Cassano e pranoi se nuk e shfrytëzoi mundësinë për të triumfuar me një skuadër të mbushur me yje.
“Plotësisht. Duhej të më kishin futur në burg, sepse sjellja ime ishte e tmerrshme. Më pëlqente të haja, të dilja dhe të mos stërvitesha. Isha 10 kilogramë mbi peshën ideale. I gjithë faji ishte imi”, e pranoi italiani.
I pyetur për përvojën e tij në stërvitje me yjet e Real Madridit, Cassano i përmendi disa prej futbollistëve më të mëdhenj me të cilët ka luajtur.
“Lojtarët më të mirë që i kam takuar kanë qenë Ronaldo, Zidane dhe Guti, por unë mendoja për gjëra të tjera. Më mungonte pjekuria. Cassano i asaj kohe, po ta kishte mendjen që e kam sot, do të kishte luajtur dhjetë vjet në atë skuadër, sepse kishte cilësi”, tha ai.
Megjithatë, ish-sulmuesi theksoi se e konsideron një krenari të veçantë faktin që ka qenë pjesë e Real Madridit.
“Kam qenë i lumtur që kam luajtur në Madrid. Është një krenari e jashtëzakonshme. Edhe sot, kur shkoj diku, njerëzit më kujtojnë se kam qenë pjesë e asaj skuadre. Real Madridi është klubi më i madh në histori”, përfundoi Cassano. /Zëri