Ndërrimi i komandës së KFOR-it, marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes dhe zëvendëskomandanti i FSK-së

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralmajor Enver Cikaqi, morën pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.

Gjatë ceremonisë, gjeneralmajor Özkan Ulutaë ia dorëzoi detyrën e komandantit të KFOR-it gjeneralmajor Roberto Vergorit.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Maqedonci e falënderoi Ulutaëin për shërbimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ndërsa komandantit të ri, Vergorit, i uroi suksese në detyrën e re.

Ministri vlerësoi gjithashtu përkushtimin e KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Në kuadër të ceremonisë, Maqedonci zhvilloi një takim me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Guido Crosetto, me të cilin diskutoi mundësitë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, Maqedonci u informua se pala italiane është duke përgatitur një dokument që synon zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë ritheksuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. /Zëri