At Shtjefën Gjeçovi, dijetari që përjetësoi Kanunin e Lekë Dukagjinit

Më 14 tetor shënohet përvjetori i vrasjes së At Shtjefën Gjeçovit, klerikut françeskan dhe njërit prej studiuesve më të rëndësishëm të kulturës, etnologjisë dhe trashëgimisë shqiptare, i cili u vra më 14 tetor 1929 në Zym të Prizrenit, ku shërbente si famullitar.

I lindur në Janjevë të Kosovës, Gjeçovi u formua në Kolegjin Françeskan të Troshanit, si dhe në institucione arsimore në Kroaci e Bosnje. Gjatë jetës së tij, ai u shqua si klerik, etnolog, arkeolog, shkrimtar dhe studiues, duke ia kushtuar një pjesë të madhe të veprimtarisë dokumentimit dhe ruajtjes së pasurisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve.

Përmes hulumtimeve shumëvjeçare, ai mblodhi gojëdhëna, dokumentoi zakone e rite popullore, shkroi studime e tekste mësimore dhe përktheu vepra nga letërsia botërore. Krijimtaria e tij letrare dhe shkencore u karakterizua nga përkushtimi ndaj atdheut dhe bindja se zhvillimi i shoqërisë mbështetet në dije e kulturë. Ndër veprat e tij letrare përmendet drama “Dashtunia e Atdheut”, e botuar më 1901, si dhe vepra morale-didaktike “Agimi i gjytetnisë”, e botuar më 1910.

Kontributi i tij më i njohur lidhet me mbledhjen dhe sistemimin e së drejtës zakonore shqiptare. Vepra “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e botuar në Shkodër më 1933, pas vdekjes së autorit, përbën një nga referencat kryesore për studimin e organizimit shoqëror, normave dhe traditave shqiptare. Përmes shkrimeve të tij, Gjeçovi dokumentoi gjithashtu mikpritjen, besën, zakonet e lindjes, martesës e vdekjes, ritet popullore dhe pasurinë e urtësisë së trashëguar ndër breza.

Për veprimtarinë e tij shkencore dhe atdhetare, Gjeçovi u vlerësua edhe jashtë vendit. Universiteti i Lajpcigut i akordoi titullin “Doctor honoris causa”, ndërsa në Shqipëri u nderua me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” dhe Urdhrin “Naim Frashëri”.

At Shtjefën Gjeçovi mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Puna e tij ndihmoi në ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë kombëtare, duke lënë një pasuri të çmuar për studiuesit dhe brezat e ardhshëm./kultplus