Haxhiu: Një përfaqësues i Kryesisë së Kuvendit do të jetë pjesë e Grupit punues për Specialen

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me themelimin e Grupit punues për ish-krerët e UÇK-së.

Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit do të propozojnë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë në këtë grup punues.

“Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi. Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë, do të propozojmë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë në këtë Grup Punues, në funksion të kontributit institucional për një mbrojtje sa më të mirë në procesin e Apelit”, ka shkruar Haxhiu.

Postimi i plotë:

Mirëpres vendimin e Qeverisë për themelimin e Grupit Punues, i cili do të bashkërendojë mbështetjen shtetërore për ish-krerët e UÇK-së në procesin e Apelit.

Aktgjykimi i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe i pasaktë. Në këtë fazë, është thelbësore që procesi në Apel të mbështetet nga një strategji e përbashkët shtetërore, me angazhim të koordinuar dhe mbështetje të plotë institucionale.

Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi. Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë, do të propozojmë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë në këtë Grup Punues, në funksion të kontributit institucional për një mbrojtje sa më të mirë në procesin e Apelit.

Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare. Kjo e vërtetë do të vazhdojë të thuhet dhe të mbrohet gjithmonë.