Hoti, skeptik për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka komentuar reagimet e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat u votuan javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Hoti tha se reagimet e BE-së ishin të pritshme, duke iu referuar kërkesës për konsultime paraprake për ndryshimet në këtë ligj.

 

Ai shprehu gjithashtu rezerva nëse ndryshimet e miratuara do të sjellin rezultatet e nevojshme për mbrojtjen e duhur të personave që po gjykohen në Hagë.

“Sa i përket reagimit të Bashkimit Evropian, i keni parë reagimet e tij, në të cilat këto ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë cilësuar si të papranueshme. Ligji u votua javën e kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Siç mund të flas tani në emër të Qeverisë, nëse flas në emrin tim, do të citoja një fjali të kryeministrit Kurti, të thënë ditën kur u votuan ndryshimet për Dhomat e Specializuara. Kryeministri Kurti e ka theksuar shumë mirë se nuk jemi shumë të bindur për këtë. Megjithatë, besoj se partia që i ka hartuar ndryshimet është konsultuar me akterë të tjerë dhe me Apelin. Sa i përket kësaj çështjeje, do të shohim se çfarë strategjie do të ndiqet. Por, edhe unë personalisht, si Andin, nuk jam shumë i bindur se këto ndryshime do të sjellin rezultatet e nevojshme për të siguruar një mbrojtje të duhur. Po theksoj se kjo është çështje që u përket atyre që sot ndodhen në Hagë”, tha Hoti.

 

Ministri theksoi se reagimet e Bashkimit Evropian lidhen edhe me procedurën e ndjekur gjatë hartimit të ndryshimeve ligjore.

Ai rikujtoi se për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara parashihet konsultimi paraprak me BE-në.

“Reagimet e Bashkimit Evropian janë të pritshme, sepse, të them të drejtën, një nga dispozitat që përmendet edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thekson se, për çdo ndryshim të këtij ligji, duhet të ketë konsultim paraprak me Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë hartimit të këtyre ndryshimeve, të cilat janë përgatitur brenda dy apo tri ditësh”, deklaroi Hoti. /eo