Dhomat e Specializuara refuzojnë ftesën e Avokatit të Popullit

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se nuk do ta pranojnë ftesën për pjesëmarrje në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, lidhur me konstatimet dhe rekomandimet e këtij institucioni për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një deklaratë, Specialja thekson se Neni 162, paragrafi 11 i Kushtetutës së Kosovës ia jep Zyrës së Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara përgjegjësinë ekskluzive për këto institucione, transmeton Zeri.info.

Sipas Dhomave të Specializuara, pranimi i ftesës së Qelajt do të ishte i papërshtatshëm, pasi kompetenca për monitorimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me këto institucione i takon Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera.

“Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, z. Pietro Spera, ka autoritetin ekskluziv për të monitoruar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në deklaratë.

Specialja i është referuar gjithashtu Nenit 34, paragrafit 9, të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke theksuar se mungesa e kompetencës së Avokatit të Popullit të Kosovës në raport me këto institucione i është komunikuar më parë Qelajt.

Në deklaratë përmendet edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili, sipas Dhomave të Specializuara, mbikëqyr dhe inspekton objektin e paraburgimit për të garantuar respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare.

Dhomat e Specializuara kanë theksuar gjithashtu se vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e gjyqtarëve të tyre të pavarur dhe të paanshëm nxirren në përputhje me standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut.

Sipas deklaratës, palët që nuk janë pajtuar me vendimet gjyqësore kanë pasur në dispozicion mjete juridike për t’i kundërshtuar ato, duke përfshirë ankesat para Panelit të Apelit, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

Në përfundim, Institucioni ka bërë të ditur se vazhdon të përqendrohet në mandatin e tij për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, si dhe për zhvillimin e proceseve penale të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase. /Zëri