Shkëlqimi i Shkëndijës, lidere pas rrethit të parë në LPFMV

Shkëndija mbyll fazën e parë në krye dhe synon vazhdimësinë. Me 20 pikë të tubuara nga 9-të ndeshje jemi 3 pikë para ndjekësve. 

Duke mbyllur rrethin e parë të garave aty ku e kishim synuar, tashmë detyra jonë është ta përsërisim të njëjtin ritëm edhe në tri rrethet e mbetura të sezonit.

Kuqezinjtë e mbyllin këtë fazë të parë si liderë të merituar të LPFMV-së, duke arkivuar plot 20 pikë nga 9 ndeshje, me një efekt prej 6 fitoresh, 2 barazimesh dhe 1 disfate. 

E nisëm kampionatin në mënyrë të përkryer me 5 fitore në po aq ndeshje, derisa më pas, si pasojë e mungesave të shumta në formacion për shkak të lëndimeve, pësuam një luhatje në formë e rezultate, ku u mposhtëm nga Tikveshi, për të barazuar më pas me Arsimin dhe Shkëndijën e Haraçinës.

Në rrafshin individual, Fahd Ndzengue është lojtari më efikas në taborin tonë në 9 xhirot e para me 5 gola dhe 2 asiste, derisa Fabrice Tamba numërohet me 4 gola dhe 3 asiste.

Nga 2 herë emrin te golashënuesit e kanë regjistruar Ibraimi, Krasniqi, Trumçi e Meliqi, ndërsa nga 1 gol e kanë gjetur edhe Kryeziu, Zejnullai, Rafa dhe Islami. 

Ndërkaq, sa i përket kreativitetit dhe asistimeve, krahas Tambës, nga 3 pasime vendimtare kanë dhënë Zejnullai dhe Ibraimi, kurse nga 2 asiste kanë regjistruar Krasniqi dhe Kërstevski. Nga një asist kanë Rafa, Trumçi, Dimoski e Kryeziu.