Tresoldi shkëlqen me “hat-trick”, Interi mposhtet në shtëpi nga Club Brugge

Club Brugge i fitoi pikët e para në këtë sezon të Ligës së Kampionëve, duke triumfuar me rezultat 4-3 në “San Siro”, në përballjen e parë historike me Interin.

Ndërkohë, Interi ka pësuar katër humbje radhazi në garën më elitare evropiane për klube, diçka që i ndodh për herë të parë në historinë e tij.

Ish-portieri i Interit, Yann Sommer, pati një fillim nervoz në rikthimin e tij në “San Siro”, duke u detyruar të ishte i vëmendshëm ndaj goditjeve të Andy Dioufit dhe Lautaro Martinezit.

Në anën tjetër, ai vetëm mundi të shikonte teksa Marcus Thuram e devijoi topin me majën e këmbës, por goditja e tij kaloi fare pranë shtyllës.

Club Brugge arriti ta largonte presionin nga portieri i tij, por një goditje e bllokuar e Hans Vanakenit ishte gjithçka që krijoi deri në minutën e 26-të.

Atëherë, pas një goditjeje nga këndi, topi u devijua disa herë brenda zonës së Interit përpara se të përfundonte te Nicolo Tresoldi, i cili e goditi fuqishëm topin, por ai u përplas në këndin mes shtyllës dhe traversës.

Minutat në vijim dëshmuan rëndësinë e ndërhyrjeve të sakta brenda zonës, pasi Piotr Zielinski u dërgua drejt portës, por një ndërhyrje e jashtëzakonshme rikuperuese nga Hugo Vetlesen ia mohoi mundësinë për të goditur.

Nga goditja e këndit që pasoi, Carlos Forbs u nis me shpejtësi nga skaji i zonës së tij dhe vazhdoi vrapimin deri në zonën e zikaltërve, ku u rrëzua nga Hakan Calhanoglu.

Tresoldi mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe këtë herë e dërgoi topin mjaftueshëm poshtë për ta goditur këndin e sipërm të portës.

Calhanoglu mendoi dy herë se ishte shpaguar për gabimin e tij, por fillimisht goditja e mesfushorit nga rreth 18 metra u përplas në traversë, ndërsa më pas harkimi i tij i rrezikshëm nga gjuajtja e lirë u dërgua në rrjetë me kokë nga Martinez, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje të argjentinasit.

Interi dukej se do të shkonte në pushim në disavantazh, kur Sommer e kapi topin pas goditjes me kokë të Alessandro Bastonit. Megjithatë, Federico Dimarco e dërgoi topin nga krahu i majtë në zonë, ku Martinez e fitoi duelin fizik dhe goditi saktë për ta mposhtur Sommerin.

Sommer më pas bëri një pritje të nivelit botëror për t’ia mohuar golin Martinezit, i cili e mashtroi portierin me një lëvizje dhe e rrëzoi në tokë, por u ndal nga këmba e zviceranit, i cili u ngrit menjëherë për ta bërë pritjen.

Interi vazhdoi të ishte skuadra dominuese, ndërsa Dimarco e dërgoi mbi traversë një goditje volej të kontrolluar. Por kampionët e Serie A-së u goditën papritur, kur Forbs e fitoi duelin me portierin Josep Martinez pas një topi të gjatë përpara, ndërsa Tresoldi e mori topin e mbetur dhe e dërgoi në rrjetën e zbrazët.

Jan Virgili goditi pjesën e brendshme të shtyllës, por mysafirët nuk u ndalën. Katër minuta më vonë, goditja e Forbs u prit nga Martinez, ndërsa Tresoldi e dërgoi topin në rrjetë pas rikthimit, duke kompletuar “hat-trickun” e tij.

Megjithatë, skuadra belge ende nuk e kishte siguruar fitoren, gjë që Interi e dëshmoi në 10 minutat e fundit, kur ndodhi pothuajse i njëjti aksion. Goditja e Petar Sucicit u prit nga portieri dhe Martinez e dërgoi topin në rrjetë pas rikthimit.

Interi u hodh në sulm në minutat e fundit, por Sommer i priti goditjet e Dioufit dhe Martinezit. Më pas, Brugge përfitoi nga mbrojtja e lartë e vendasve dhe Forbs e dërgoi Romeo Vermantin të vetëm përballë portierit, duke vulosur fitoren e tetë të skuadrës belge kundër një kundërshtari italian.

Në këtë mënyrë, Interi pësoi humbje në shtëpi nga një skuadër belge për herë të parë në 56 vjet, pavarësisht një momenti të shkëlqyer individual në kohën shtesë nga Ange-Yoan Bonny, i cili depërtoi nga krahu i majtë drejt qendrës dhe e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur me hark, përtej Sommerit.