Policia jep detaje nga rasti i sotëm në Fushë-Kosovë

Policia e Kosovës, me njësitë e saja speciale, njësitë e reagimit të shpejtë dhe me njësitë patrulluese, ka intervenuar në një rast në Fushë-Kosovë, ku sipas informacioneve fillestare një person i dyshuar mashkull kosovar i nacionalitetit serb, nën posedimin e armës, ka kërcënuar një qytetar.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, është arritur të identifikohet personi i dyshuar, i cili nuk iu ishte bindur urdhrave policorë për ndalim dhe dorëzim, i njëjti ka hyrë brenda duke u mbyllur në shtëpinë/banesën e tij.

“Policia e Kosovës ka siguruar vendin duke vënë perimetrin e sigurisë rreth zonës së banimit të personit të dyshuar, me të cilin në forma të ndryshme ka komunikuar dhe ka kërkuar që të dorëzohet në formë të sigurt dhe pa pasoja, mirëpo i njëjti ka rezistuar dhe nuk iu është bindur urdhrave zyrtarë policorë”.

“Zyrtarët policorë, përfshirë ata të njësisë speciale intervenuese, njësisë speciale operative, njësive të rendit publik dhe njësisë K9, për kohë të tëra, kanë vëzhguar dhe përcjellë veprimet e personit të dyshuar, duke e mbajtur situatën nën kontroll”, u tha në njoftimin e Policisë.

Por, edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme të policisë për dorëzim të personit të dyshuar, sipas njoftimit, i njëjti nuk është dorëzuar, dhe më pas njësitë janë detyruar që me forcë, me mjete të forta, të hapin derën dhe të futen brenda në banesë.

“Policia në mënyrë profesionale ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar që dyshohet se ka kryer kanosjen, si dhe një person tjetër mashkull kosovar i cili ka qenë brenda në shtëpi dhe ka penguar zyrtarët policorë”, bëri me dije Policia.

Në njoftim u theksua se në rast kanë marrë pjesë edhe institucione tjera, si njësiti i zjarrfikësve, ambulancave etj, të cilat kanë bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, përderisa ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke vazhduar nga njësit relevante policore.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe duartrokitjet e tyre ndaj policisë, pas përfundimit me sukses të këtij operacioni.

Të gjitha veprimet e mëtejme janë duke u ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.