Konjufca takohet me ministrin e Jashtëm të Armenisë në Forumin e Varshavës

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me ministrin e Jashtëm të Armenisë, Ararat Mirzoyan, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë.

Përmes një postimi në platformën X, Konjufca bëri të ditur se me homologun armen diskutoi zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe sigurinë rajonale. Ata shqyrtuan gjithashtu mundësitë për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e angazhimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Armenisë.

"Diskutuam zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe sigurinë rajonale, duke shqyrtuar mundësitë për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e angazhimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Armenisë", tha ai.