Legjenda e Al-Hilalit i dërgon mesazh Ronaldos: “Faleminderit që e mbështete vendin tim”
Legjenda saudite Mohammed Al-Deayea i ka dërguar një mesazh në gjuhën portugeze yllit të Al-Nassrit, duke e falënderuar për mbështetjen dhe respektin e treguar ndaj Arabisë Saudite.
Al-Deayea, përmes një postimi në rrjetin social X, vlerësoi veprimin e portugezit, i cili u shfaq me një shall që mbante flamurin e Arabisë Saudite pas ndeshjes së Al-Nassrit kundër Navbahorit të Uzbekistanit, në Ligën e Kampionëve të Azisë.
“Faleminderit yllit botëror Ronaldo për qëndrimin e tij fisnik dhe mbështetjen ndaj vendit tim, Mbretërisë së Arabisë Saudite”, shkroi Al-Deayea.
Ai theksoi se ky gjest kishte një domethënie të veçantë për popullin saudit, duke e konsideruar si shenjë respekti dhe vlerësimi që shkon përtej kufijve të sportit.
“Gjesti i mbajtjes së shmagut saudit është një mesazh respekti dhe vlerësimi që ne e çmojmë shumë. Veprimet e sinqerta mbeten gjatë në kujtesë dhe fitojnë respekt përtej kufijve të sportit”, thuhet në mesazhin e tij.
Në fund, legjenda e Al-Hilalit i shprehu Ronaldos mirënjohjen e tij, duke nënvizuar se Arabia Saudite meriton besnikëri dhe dashuri nga të gjithë.
Ndërkohë, Ronaldo ishte protagonist edhe në fushë, duke shënuar një gol në fitoren 3-1 të Al-Nassrit ndaj Navbahorit, suksesi i parë i skuadrës në këtë edicion të garës kontinentale. /Zëri