Kurtin e uron homologu nga Malta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga homologu i tij maltez, Robert Abela, me rastin e rizgjedhjes në krye të Qeverisë.

Në letrën e tij, Abela ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke riafirmuar mbështetjen e Maltës për integrimin evropian të Kosovës.

“Dua të riafirmoj mbështetjen e palëkundur të Maltës për aspiratat evropiane të Kosovës dhe t’ju uroj sukses teksa vendi juaj vazhdon të përparojë në rrugën evropiane”, ka shkruar Abela.

Ai ka theksuar gjithashtu se Malta dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, duke shprehur pritshmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe lidhjeve të miqësisë mes dy vendeve. /Zëri