Vdes 7-vjeçarja në Pejë, dyshohet se e zuri një orendi në shtëpi

Një 7-vjeçare ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë nga rrëzimi i një orendie në shtëpi në fshatin Pavlan të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, ka thënë për “Zërin” se për rastin ishin njoftuar më 11 tetor, ku e njëjta ishte dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinikë dhe Universitare të Kosovës (QKUK), e cila për shkak të plagëve të marra, sot ka vdekur.

“Më datë 11.10.2026 jemi njoftuar se një fëmijë i gjinisë femërore ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë (më vonë në QKUK), për shkak të lëndimeve që dyshohet se i janë shkaktuar aksidentalisht, si pasojë e rrëzimit të një orendie në shtëpinë e saj, në fshatin Pavlan të Pejës. Sot jemi njoftuar se e njëjta ka vdekur. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës u kthehet familjarëve”, tregoi Elezaj. /Zëri