IKD-ja kërkon reagim institucional ndaj kërcënimeve dhe linçimit të gazetarëve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar linçimin publik, kërcënimet dhe presionin ndaj gazetarëve Fidan Jupolli dhe Lirim Mehmetaj, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet e Kosovës.

Sipas IKD-së, këto zhvillime cenojnë sigurinë e gazetarëve, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Në një reagim të publikuar të martën, IKD-ja ka theksuar se institucionet kanë përgjegjësi të sigurojnë që gazetarët ta ushtrojnë profesionin pa frikë dhe pa presion për t’u tërhequr nga qëndrimet e tyre.

Sa i përket rastit të Fidan Jupollit, IKD-ja ka vlerësuar se shqetësimet e ngritura nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për integritetin fizik të gazetarit dhe familjes së tij kërkojnë trajtim urgjent dhe serioz institucional.

Instituti ka paralajmëruar se etiketimi i gazetarëve si të lidhur me interesa armiqësore për shkak të qëndrimeve të tyre publike mund të rrezikojë sigurinë e tyre dhe të familjarëve.

Ndërkaq, në rastin e Lirim Mehmetajt, IKD-ja ka rikujtuar deklarimin e gazetarit se ishte kërcënuar pas refuzimit për ta larguar një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci.

Ndalimi për 48 orë i Gani Gecit, nën dyshimin për kanosje, sipas IKD-së, duhet të pasohet nga një hetim i plotë dhe i paanshëm, duke respektuar prezumimin e pafajësisë.

IKD-ja ka rikujtuar se nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës së Kosovës garantojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave, ndërsa Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron edhe kritikën e ashpër, satirën politike dhe shprehjet që mund të shqetësojnë të tjerët, brenda kufijve të përcaktuar nga Konventa.

“Mospajtimi me një gazetar nuk krijon të drejtë për ta kërcënuar apo për t’ia diktuar përmbajtjen”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Instituti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të distancohet menjëherë nga këto veprime, t’i dënojë publikisht dhe të kërkojë ndaljen e tyre. Sipas IKD-së, heshtja e Qeverisë përballë një situate të tillë ushqen perceptimin e tolerimit dhe mund t’u japë shtysë personave që ushtrojnë presion ndaj gazetarëve.

IKD-ja u ka bërë thirrje edhe subjekteve politike që të distancohen nga kërcënimet dhe fushatat linçuese të mbështetësve të tyre, duke theksuar se kjo përgjegjësi vlen pavarësisht autorit të kërcënimeve dhe qëndrimeve të gazetarit. /Zëri