Alarm për raketë në Riad, shtyhet përkohësisht ndeshja e Ronaldos në Championsin aziatik

Ndeshja e Al Nassrit ndaj Neftchi Ferganasit u shty për një orë pas alarmit të sigurisë në kryeqytetin saudit. Cristiano Ronaldo shënoi golin e 981-të në karrierë, ndërsa skuadra e tij triumfoi me rezultat 3-1.

Momente tensioni janë përjetuar në Riad, para ndeshjes së Champions League aziatike mes Al Nassr dhe Neftchi Ferganasit, pasi një alarm sigurie detyroi organizatorët ta shtynin për një orë fillimin e takimit.

Sipas raportimeve të “The Guardian”, vonesa erdhi pasi koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte interceptuar një raketë të lëshuar nga rebelët Huthi në drejtim të kryeqytetit saudit.

Ndeshja në stadiumin “Al-Awwal Park” ishte paraparë të fillonte në orën 21:15 sipas kohës lokale, por filloi një orë më vonë. Para takimit, edhe tifozët e pranishëm në stadium morën njoftime përmes telefonave të tyre, me udhëzime për të qëndruar të qetë dhe për të ndjekur rekomandimet e autoriteteve.

Në tribuna u vërejt një numër relativisht i vogël spektatorësh, ndërsa përmes altoparlantëve u bë e ditur se situata ishte e sigurt dhe se ndeshja do të zhvillohej.

Ronaldo nuk ndalet, shënon golin e 981-të

Pavarësisht situatës së tensionuar jashtë fushës, Cristiano Ronaldo ishte sërish protagonist me fanellën e Al Nassrit.

Portugezi shënoi golin e dytë të skuadrës së tij në minutën e 42-të, duke e çuar në 981 numrin e golave të realizuar gjatë karrierës së tij.

Al Nassr kishte kaluar në epërsi në minutën e 33-të me golin e Angelo Gabrielit, ndërsa Ronaldo dyfishoi rezultatin pak para përfundimit të pjesës së parë.

Neftchi Ferganasi ngushtoi epërsinë në fillim të pjesës së dytë përmes Alisher Odilovit, por skuadra uzbeke mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ikromjon Alibajevit në minutën e 65-të. Më pas, një autogol i Anvarjon Gofurovit vulosi fitoren 3-1 të skuadrës saudite.

Situata e sigurisë mbetet shqetësuese

Sipas raportimeve, autoritetet saudite kishin lëshuar paralajmërime sigurie për banorët e Riadit, ndërsa në qytet ishin dëgjuar edhe shpërthime.

Sulmet e fundit me raketa dhe dronë nga rebelët Huthi kanë shtuar shqetësimet për sigurinë në Arabinë Saudite, përfshirë objektiva të rëndësishëm të transportit.

Megjithatë, pas alarmit dhe shtyrjes së ndeshjes, autoritetet lejuan zhvillimin e takimit, i cili përfundoi me fitoren e Al Nassrit, me Ronaldon që vazhdon t'i afrohet objektivit prej 1.000 golash në karrierë.