Gani Geci ndalohet për 48 orë, Policia jep detaje

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, është arrestuar nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, më 12 tetor 2026 është arrestuar një i dyshuar kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje” ndaj një viktime mashkull, gazetar.

“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në raportin e Policisë.

Geci fillimisht ishte shoqëruar në Polici, pasi një natë më parë kishte shkuar tek ambientet e Televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në një debat me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

Në fund të emisionit “Debat Plus”, autori i tij, Ermal Panduri, e kishte njoftuar Mehmetajn se një person nga familja Geci kishte ardhur te televizioni dhe po e priste jashtë, ndërsa në oborr ndodhej edhe policia e Kosovës.

Pas kësaj, Mehmetaj kishte deklaruar se një ditë më parë ishte kërcënuar nga familja Geci.

Ngjarja erdhi pas një postimi kritik të gazetarit ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.

Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

Kanosje

Prishtinë, 11.10.2026 - 19:27. Më 12.10.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje” ndaj viktimës mashkull kosovar - gazetar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. /Zëri