Abazi: Kurti do të detyrohet të bëjë kompromise edhe më të mëdha ndërkombëtarisht

Haki Abazi, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, deklaroi se kryeministri Albin Kurti do të detyrohet të bëjë kompromise edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare.

“Jemi në një situatë që kërkon veprim të shpejtë sepse kriza energjetike, humbja e Trumpit në zgjedhjet e mesmandatit do të jetë një kthesë në kompromise edhe më të mëdha që duhet të bëjë Kurti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në anën tjetër, ky guri i madh i Dhomave të Specializuara do të rëndohet edhe më shumë mbi Kosovën në kriteret e avancimit të pozitës ndërkombëtare”.

Sa i përket politikës së brendshme, Abazi theksoi se Kurti po e “fragmenton substancën e kombit përbrenda”.

“Po kthehemi në luftën kundër njëri-tjetrit dhe kjo po na mban në një baltë të përgjithshme këtu brenda”, nënvizoi Abazi në A2.

Kurti, sipas tij është prishur me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, për interesa të vogla.

“Kurti është idhnak. Kur je idhnak dhe je i majtë, prishesh me Edi Ramën nëse nuk ta voton Veton Surroin për RCC-në (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) në Sarajevë. Këtu prishen të gjitha pastaj, radhiten më pas inate pa fund dhe për interesa të vogla harrojmë interesin kombëtar”, tha Abazi.

“Urgjenca e Kosovës është të kthehet në procesin e integrimit evropian, të rikthejë strategjinë për të hyrë në NATO sepse mund të kthehet ideja e një Rusie të fortë në Evropë dhe shqiptarët mund të paguajnë çmim të lartë, si gjyshërit e stërgjyshërit tanë. Në historinë tonë, vetëm aleancat e fuqishme na kanë shpëtuar. Ne vetë jemi të paaftë për t’u bashkuar dhe për të krijuar mbrojtje të mjaftueshme për veten”, shtoi Abazi.