Rritet presioni ndaj Neuerit, në Gjermani kërkojnë që Urbig ta marrë menjëherë vendin e tij te Bayerni

E ardhmja e Manuel Neuerit te Bayern Munich po bëhet gjithnjë e më shumë temë diskutimi në Gjermani.

Gabimet e fundit të portierit veteran kanë shtuar zërat që kërkojnë kalimin e menjëhershëm të përgjegjësive te Jonas Urbig, i cili shihet si pasardhësi i tij i natyrshëm.

Sezoni aktual pritet të jetë i fundit në karrierën e jashtëzakonshme të Neuerit, i cili vitin e ardhshëm do t’i mbushë 41 vjet.

Megjithatë, fundi i aventurës së tij mund të jetë më i vështirë nga sa pritej, pasi paraqitjet e fundit kanë rikthyer pikëpyetjet rreth së ardhmes së portës bavareze.

Pas paraqitjes zhgënjyese në Kupën e Botës 2026 dhe largimit nga kombëtarja gjermane, Neuer është kritikuar sërish pas gabimit të rëndë në barazimin 2-2 ndaj Augsburgut.

Pas vetëm gjashtë sekondash lojë, një pakujdesi e tij i dha mundësinë Robin Fellhauerit të shënonte golin më të shpejtë në historinë e Bundesligës.

Gazeta gjermane Bild reagoi ashpër ndaj portierit të Bayernit, duke shkruar: “Një boksier i vjetër është vetëm një ndeshje larg shndërrimit në një palaço”.

Pavarësisht kritikave, drejtuesit e Bayernit vazhdojnë të mbështesin kapitenin e tyre.

Drejtori sportiv, Max Eberl, ka bërë të qartë se klubi nuk ka ndërmend të ndryshojë hierarkinë mes portierëve.

“Manu bëri një gabim. Kjo mund të ndodhë, sidomos pas një karriere 20-vjeçare. Për ne nuk ka asnjë dyshim: Neuer është portieri ynë i parë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Për të ardhmen do të shohim”, deklaroi Eberl.

Ndërkohë, trajneri Vincent Kompany po shqyrton mundësinë që Neuerit t’i japë sërish besimin në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Vikingut, megjithëse fillimisht ishte planifikuar aktivizimi i Jonas Urbigut.

Matthaus: Urbig i ngjan Neuerit të ri

Portieri 23-vjeçar po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje, pasi ka bindur sa herë që i është dhënë mundësia të luajë.

Paraqitjet e tij me Bayernin dhe me kombëtaren gjermane kanë shtuar kërkesat që ai të marrë më shumë përgjegjësi.

Në mesin e atyre që e mbështesin Urbigun është edhe legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus.

“Urbig ka qenë i shkëlqyer në ndeshjet e tij. Stili i lojës, gjuha e trupit dhe qetësia me të cilën e kontrollon topin më kujtojnë Neuerin e ri. Ai i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë portieri i parë i Bayernit dhe i Gjermanisë. Nëse kjo do të ndodhë këtë vit apo vitin e ardhshëm, do të varet nga paraqitjet e Manuelit”, u shpreh Matthaus.

Edhe ish-mbrojtësi Steffen Freund mendon se Bayerni duhet ta përshpejtojë kalimin e përgjegjësive te portieri i ri.

“Është e drejtë ta respektosh Neuerin për gjithçka që ka bërë, por ky është sezoni i tij i fundit dhe Urbig duhet të jetë gati. Ndryshimi duhet të ndodhë që gjatë kampionatit, përndryshe mund të jetë tepër vonë. Nëse Urbig ka vështirësi, Neuer do të jetë sërish në dispozicion”, deklaroi Freund.

Për momentin, Bayerni vazhdon t’i besojë përvojës së kapitenit të tij, por gabimet e fundit po e rrisin presionin për një ndryshim të parakohshëm.

Urbig shihet si e ardhmja e portës bavareze, ndërsa mbetet të shihet nëse Kompany do t’i japë atij më shumë hapësirë që tani apo do të vazhdojë të mbështetet te Neueri deri në fund të sezonit. /Zëri