BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë
Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar masa të reja kufizuese ndaj 1.569 individëve dhe subjekteve të kompleksit ushtarako-industrial rus, në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmeve ndaj infrastrukturës civile.
Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, paketa përfshin 826 kompani ruse dhe 743 individë që mbajnë pozita të drejtorëve ekzekutivë në këto kompani.
Kjo është paketa më e madhe e sanksioneve individuale e miratuar ndonjëherë nga BE-ja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të individëve dhe subjekteve të sanksionuara në afro 4.600.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se sanksionet synojnë kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, veçanërisht zinxhirin e prodhimit të raketave balistike.
“Sot BE-ja miratoi raundin më të madh të sanksioneve që nga viti 2022. Afro 1.600 individë dhe subjekte të përfshira në listë janë pjesë e kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë. Më shumë se gjysma e tyre lidhen me zinxhirin e prodhimit të raketave balistike që Rusia i përdor çdo ditë për të vrarë civilë ukrainas”, ka thënë Kallas.
Ajo ka theksuar se veprimet e Rusisë nuk tregojnë gatishmëri për paqe.
“Bombardimi i urave të Kievit, anijeve që transportojnë drithëra dhe Akademisë Kombëtare të Shkencave nuk janë veprime të një vendi që kërkon paqe. Kjo nuk është koha për të lehtësuar presionin ndaj Moskës, por për ta shtuar atë”, ka deklaruar Kallas.
Sipas Këshillit të BE-së, paketa e re synon kryesisht furnizuesit e nivelit të mesëm, të cilët përbëjnë bërthamën e industrisë ushtarake ruse, me një qarkullim vjetor prej të paktën 20 miliardë eurosh dhe më shumë se 250 mijë të punësuar.
Kompanitë e përfshira në listë furnizojnë komponentë kryesorë për sistemet e avancuara të armatimit rus, përfshirë raketat, dronët dhe avionët. Këtu përfshihen pajisje elektronike, gjysmëpërçues, sisteme komunikimi, radarë, pajisje navigimi, eksplozivë dhe municione.
Individët dhe subjektet e sanksionuara do t'i nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndërsa ndalohet ofrimi i fondeve apo burimeve ekonomike për ta. Për personat fizikë të përfshirë në listë do të zbatohet edhe ndalimi i udhëtimit në Bashkimin Evropian.
Këshilli i BE-së ka rikujtuar se në përfundimet e 18 dhe 19 qershorit 2026, Këshilli Evropian kishte rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Po ashtu, ishte theksuar se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen politike, financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për Ukrainën, në koordinim me partnerët dhe aleatët.
Vendimi i fundit vjen pas thirrjeve të Këshillit Evropian për shtimin e presionit ndaj Rusisë, përfshirë miratimin e sanksioneve të mëtejshme, si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj Ukrainës dhe infrastrukturës së saj civile.