E pabesueshme në Francë, Valenciennes fiton 13-0 dhe më pas e shkarkon trajnerin!

Një situatë e pazakontë ka ndodhur në futbollin francez.

Valenciennes fitoi me rezultatin e thellë 13-0 në Kupën e Francës, por kjo fitore historike nuk e shpëtoi trajnerin Pierre Blois nga shkarkimi.

Klubi francez njoftoi të hënën ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun, vetëm pak kohë pasi skuadra kishte regjistruar fitoren më të thellë në historinë e saj në një ndeshje zyrtare.

Valenciennes triumfoi ndaj CS Habarcq, skuadër që militon në kategoritë amatore të futbollit francez, duke siguruar kualifikimin në raundin e gjashtë të Kupës së Francës.

Megjithatë, paraqitjet në kupë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e drejtuesve, të cilët janë të pakënaqur me rezultatet e skuadrës në kampionat.

Valenciennes renditet në vendin e 15-të në Ligue 3, pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara, me vetëm dy fitore, dy barazime dhe pesë humbje.

Për këtë arsye, drejtuesit vendosën të ndajnë rrugët me Blois, pavarësisht fitores spektakolare 13-0.

Samuel Goethals do ta drejtojë skuadrën përkohësisht, me ndihmën e Rudy Mater, ndërsa klubi shpreson që ndryshimi në pankinë të sjellë rezultate më të mira në vazhdim të sezonit.

Kështu, Blois largohet nga Valenciennes pas një fitoreje që do të mbahet mend gjatë, por që nuk mjaftoi për ta mbajtur në detyrë. /Zëri