Gjoba për barnatoret në Pejë për çmimet e barnave, inspektimet shtrihen në gjithë Kosovën
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik, ka intensifikuar kontrollet për mbikëqyrjen e çmimeve të barnave në barnatoret në të gjithë Kosovën.
Sipas njoftimit, aksioni ka ardhur pas ankesave të konsumatorëve për mospërputhje ndërmjet çmimit të shënuar në banderolë dhe atij që paraqitet në arkë.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Inspektoratin Farmaceutik, ka intensifikuar mbikëqyrjen e çmimeve të barnave në barnatoret në të gjithë vendin.
Pas ankesave të pranuara nga konsumatorët lidhur me mospërputhjen e çmimit të shënuar në banderolë me çmimin e paraqitur në arkë, IQMT-ja ka kërkuar asistencën e inspektorëve farmaceutikë, me qëllim të parandalimit të parregullsive në çmime dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga praktikat e padrejta tregtare.
Gjatë inspektimeve të realizuara sot në Komunën e Pejës, janë shqiptuar edhe gjoba ndaj subjekteve ku janë konstatuar shkelje.
Inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, përmes aksioneve të veçanta në të gjitha rajonet e Republikës së Kosovës.
Në rastet e mospërputhjes së çmimit të paguar me çmimin e paraqitur për konsumatorin, baza ligjore përkatëse është Ligji Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht neni 26, paragrafi 9, në lidhje me nenin 137, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11.
Këto dispozita përcaktojnë detyrimin e tregtarit për të garantuar përputhjen e çmimit të paguar me çmimin e ofruar, si dhe sanksionet përkatëse për shkeljet e konstatuara sipas nenit 137, paragrafi 1, gjoba për personin juridik mund të jetë nga 1.000 deri në 10.000 euro.
Ndërkaq, vetëm gjatë këtij viti, në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit janë adresuar mbi 20 ankesa lidhur me këtë problematikë, duke shënuar trend rritës krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes IQMT-së, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e transparencës në treg.
Konsumatorët mund t’i adresojnë ankesat e tyre përmes adresës elektronike konsumatori@rks-gov.net ose përmes platformës Viber, në numrin +383 (0) 46 311-000.