Aktakuzë për krime lufte ndaj ish-komandantit të Repartit Policor në Zveçan
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Gj. për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998-1999, në komunën e Zveçanit, i pandehuri M.Gj., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe dhe nën përgjegjësinë individuale dhe atë komanduese, në cilësinë e komandantit të Repartit Policor (përbërja rezervë) në komunën e Zveçanit, ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile.
Po ashtu, sipas PSRK-së, më 29 prill 1999, i pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar, të organizuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit.
“Gjatë operacionit u vranë tre banorë civilë, ndërsa shtatë persona të tjerë u rrëmbyen, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim”, thuhet në njoftim.