Influenceri viziton restorantin e shqiptarit në Teksas, videoja bëhet virale dhe lokali mbushet plot me klientë
Një influencer i njohur në krijimin e përmbajtjes rreth ushqimeve i ka shkuar papritur një pronari restoranti në Teksas të Amerikës, për të parë se çka ofron lokali i tij.
E ky restorant quhet "Hani i Vjetër" dhe është në pronësi të një shqiptari nga Kosova, i cili u prezantua si Toni.
Kur influenceri i quajtur Chris hyri brenda, aty ishte vetëm Toni, i cili vetë ishte pronar, e vetë kamarier. Fillimisht, ata të dy u njohën mes vete, ku ndër tjera, Toni i tregoi atij që lokalin e ka hapur muajin e kaluar dhe se puna po shkon mirë, por jo siç do donte.
Pastaj, Toni ia ekspozoi atij që gjitha ushqimet, për të cilat tha se janë të freskëta dhe bëhen vetëm një herë, pra, nuk futën në ngrirje. Pastaj, ai i sugjeroi tiktokerit se çka të provojë si herë të parë dhe pasi u ushqye, gjëja që më së shumti i bëri përshtypje tiktokerit ishin qebapët dhe ajvari.
Sidoqoftë, Krisi u ngop dhe doli i lumtur nga restoranti, shkruan Telegrafi.
Më pas, ai hodhi videon në gjitha llogaritë e tij në rrjetet sociale, ku deri më tani, në TikTok videoja ka marrë 10 milionë shikime, 7.7 milionë i ka në Instagram, 2.6 milionë në YouTube, ndërsa, në Facebook, 362 mijë.
Në total video u shikua mbi 20 milionë herë, në të gjitha rrjetet e tij sociale që kanë një total prej mbi 700 mijë ndjekës.
Këtu, ndodhi më pas "shpërthimi" që nuk e priste as vetë Toni. Ishte pikërisht, ajo kthesa që ndryshoi rrjedhën e punës së tij.
Ndjekësit e pëlqyen aq shumë ushqimin ballkanik, saqë, në videon e Chrisit erdhën shumë komente me fotografi ku njerëzit kishin nisur ta vizitonin "Hanin e Vjetër" dhe të mahniteshin me ushqimet.Më pas, Chris shkoi përsëri në lokalin e Tonit, puna e të cilit u rrit dhe ai madje kishte marrë edhe staf të ri, si kamariere dhe enëlarëse.
Gjatë kohës së tiktokeri provonte ushqime të tjera, si gullashi, njerëzit e pyesnin atë se a është ai personi që ka promovuar këtë restorant, shkruan Telegrafi.
Kurse, videoja e dytë, 1.9 milionë i ka në TikTok, 1.5 milion në Instagram, 738 mijë në YouTube, kurse, deri më tani, në Facebook i ka 121 mijë.Në total, videoja e dytë i ka afro pesë milionë shikime.
Nëse e bëjmë një totalizim të dy videove në rrjetet sociale të Chrisit, kuptohet se bëhet fjalë për rreth 25 milionë shikime .Kur u ngop, Kris tentoi ta bënte pagesën, mirëpo Toni nuk i pranoi paratë. Madje, ai i tregoi Chrisit se e ka "urdhër" nga biri i tij që mos t'i merrte para atij, në rast që ai do ta vizitonte lokalin e tij.
Një tjetër detaj që mori vëmendje në video ishte edhe një kliente amerikane, e cila i tregonte Tonit se në një periudhë të jetës së saj ka jetuar në Pejë, madje i ka pëlqyer Kosova shumë.