Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 10 mijë euro

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë të përafërt prej 10 mijë e 300 euro, gjatë kontrollit të një dërgese në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, parregullsitë janë identifikuar pas analizës së rrezikut, kur dërgesa është përzgjedhur për kontroll fizik.

Fillimisht, zyrtarët doganorë kanë verifikuar dokumentacionin përcjellës, ndërsa më pas kanë kontrolluar mallrat për të krahasuar të dhënat e deklaruara me gjendjen faktike, duke përfshirë përshkrimin dhe sasinë e tyre.

Gjatë kontrollit janë konstatuar mospërputhje në sasinë e mallrave, përkatësisht produkte që nuk ishin deklaruar në dokumentacionin doganor.