Çmimet e konsumit në Kosovë vazhdojnë të rriten, inflacioni arriti në 7,8% gjatë shtatorit
Çmimet e konsumit në shtatorin e këtij viti në Kosovë janë rritur për 7,8 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Kështu ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)
Ndërkohë, krahasuar me gushtin e këtij viti, sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit u rriten për 0,2 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 7,8% në muajin shtator 2026, krahasuar me muajin shtator 2025. Inflacioni mujor ishte 0,2% në muajin shtator 2026”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Rritja vjetore e çmimeve thuhet se është ndikuar nga rritja e çmimit te transporti (23,9 %), strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse (11,9%), pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët (6,3%), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (5,2%), shëndetësia (4,5%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme (3,8%), mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore shtëpiake (3,5%), veshjet dhe këpucët (3,0%), ushqimet dhe pijet joalkoolike (2,4%), rekreacioni, sporti dhe kultura (1,8%), informacioni dhe komunikimi (0,7%) dhe sigurimet dhe shërbimet financiare (0,3%).
Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin shërbimet arsimore (-0,3 %).