Të tronditur nga vrasja në Pogragjë, të afërmit thonë se nuk i dinë motivet

Për vrasjen e mbrëmshme në Pogragjë të Gjilanit, ku dyshohet se babai vrau djalin e tij, shprehen të tronditur edhe të afërm të familjes.

Një prej tyre ka thënë për Tëvë1 se nuk kanë pas ndonjë problem në familje dhe se arsyet nuk i dinë as ata

“Na ka trondit rasti, si familje s’kanë pas asnjë problem. Si dimë as pse as qysh ka ndodhe. Nuk e kena as ma voglin dyshim pse ka mujt me ndodhë”, tha ky i afërm, që nuk deshi të prononcohet para kamerave.

I dyshuari për vrasjen e 29-vjeçarit gjendet në arrati. Motivet e vrasjes deri tani nuk i ka të njohura as Prokuroria Themelore në Gjilan.

Mbrëmë në Pogragjë të Gjilanit është vrarë me armë zjarri 29-vjeçari B.A., ku i dyshuar është babai i tij, R.A., 53-vjeç.

I dyshuari pas kryerjes së aktit është arratisur edhe është në kërkim nga organet e rendit.

Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari dhe viktima nuk kishin të kaluar kriminale.