Zhegrova mahnit me statistikat, hyn në historinë e Serisë A

Ylli kosovar Edon Zhegrova po dëshmon se mund të jetë një armë e rëndësishme për Juventusin.

Edhe pse nuk arriti të shënonte në barazimin 1:1 ndaj Cagliarit, futbollisti kosovar spikati me paraqitjen e tij, duke barazuar një rekord statistikor në elitën e futbollit italian.

I inkuadruar në fillim të pjesës së dytë nga trajneri Luciano Spalletti, në vend të Francisco Conceiçãos, Zhegrova ndikoi menjëherë në lojën ofensive të skuadrës torineze.

Anësori i Kosovës krijoi vazhdimisht rrezik për mbrojtjen e Cagliarit dhe regjistroi pesë goditje në kuadratin e portës. Megjithatë, portieri Elia Caprile arriti t’i ndalte të gjitha tentimet e tij.

Një statistikë që e veçon në futbollin italian

Paraqitja e Zhegrovës nuk kaloi pa u vërejtur as në aspektin statistikor. Sipas të dhënave të publikuara nga “Tuttomercatoweb”, që nga sezoni 2004/05, kur Serie A nisi të zhvillohej me 20 skuadra, vetëm dy futbollistë të tjerë të aktivizuar nga banka rezervë kishin regjistruar nga pesë goditje në kuadratin e portës brenda një ndeshjeje.

Bëhet fjalë për Luis Murielin, i cili e kishte arritur këtë me Atalantën ndaj Udineses në qershor të vitit 2020, dhe Lautaro Martínezin me Interin kundër Salernitanës, në shtator të vitit 2023.

Me pesë goditjet e tij, Zhegrova iu bashkua kësaj liste, duke konfirmuar ndikimin që mund të ketë në lojën e Juventusit edhe kur nuk e nis ndeshjen nga minuta e parë.

Nga dy golat ndaj Sassuolos te paraqitja kundër Cagliarit

Kjo paraqitje vjen pas një tjetër momenti pozitiv për futbollistin kosovar, i cili në përballjen ndaj Sassuolos kishte realizuar dy gola.

Forma e treguar në këto ndeshje mund t’i japë Zhegrovës më shumë argumente për të kërkuar hapësirë në formacionin e Juventusit, ndërsa Spalletti ka një alternativë shtesë për të ndryshuar ritmin e lojës në fazën ofensive.

Megjithatë, kosovari nuk do të jetë në dispozicion për duelin e së enjtes ndaj Celta Vigos në Ligën e Evropës, pasi nuk është përfshirë në listën e Juventusit për këtë garë.

Pavarësisht kësaj mungese, Zhegrova po dërgon sinjale pozitive në ndeshjet ku aktivizohet, duke synuar të fitojë një rol edhe më të rëndësishëm te skuadra italiane. /rtk