“Vogue” përzgjedh librat më të mirë të vitit 2026

Nga kujtimet personale dhe marrëdhëniet e ndërlikuara te romanet e spiunazhit, historitë familjare dhe udhëtimet drejt hapësirës, viti 2026 ka sjellë një larmi botimesh që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve. Revista "Vogue" ka veçuar disa prej librave më interesantë të vitit, duke sjellë një përzgjedhje që ndërthur zëra të rinj letrarë me autorë të njohur dhe histori që eksplorojnë anë të ndryshme të përvojës njerëzore.

Në mesin e botimeve të përzgjedhura është The Cormorant Hunt nga Michael Idov, një roman që rikthen personazhin e spiunit Ari Falk, pas paraqitjes së tij në The Collaborators. Këtë herë, Falk gjendet në Tbilisi, ku përfshihet në një rrjet intrigash brenda CIA-s, pas vrasjes së një figure mediatike në Pragë. Komplotet politike, tradhtia dhe përpjekjet për të tronditur rendin botëror ndërthuren me humorin dhe ritmin e shpejtë të rrëfimit. Për "Vogue", romani shquhet për kthesat e papritura dhe potencialin për një përshtatje filmike.

Një rrëfim krejt tjetër sjell Belle Burden me librin Strangers: A Memoir of Marriage, ku autorja kthehet te përvoja e martesës dhe divorcit. Duke u zgjeruar mbi një ese të botuar në vitin 2023 në rubrikën Modern Love të The New York Times, Burden shqyrton momentin kur kupton se personi me të cilin ka ndarë jetën mund t’i jetë bërë i huaj. Libri nuk ofron përgjigje të prera, por eksploron vështirësinë e të njohurit plotësisht të një njeriu tjetër dhe pasigurinë që mund të fshihet edhe brenda marrëdhënieve më intime.Dëshira për famë dhe frika nga gjykimi shoqëror janë në qendër të përmbledhjes me tregime I Could Be Famous nga Sydney Rende. Përmes 11 tregimeve dhe dhjetë rrëfimtareve femra, autorja ndërton një botë ku ambiciet personale përplasen me pasigurinë dhe shqetësimin për mënyrën se si të tjerët i perceptojnë personazhet. Një aktor ambicioz shërben si figurë lidhëse mes historive, ndërsa humori dhe situatat e njohura të jetës së përditshme e bëjnë librin një vëzhgim mbi dëshirën për t’u parë dhe për t’u vlerësuar.

Me romanin Lost Lambs, Madeline Cash e vendos familjen në qendër të një historie plot situata të paparashikueshme. Një martesë e hapur, rebelimi i adoleshentëve dhe sfidat e jetës familjare krijojnë sfondin e një rrëfimi ku problemet e zakonshme marrin kthesa të pazakonta. Njëra prej vajzave lidhet me një ish-ushtar të njohur si War Crimes Wes, një tjetër përfshihet në një marrëdhënie në internet me një ekstremist fetar, ndërsa vajza më e vogël dyshon se ka zbuluar një mashtrim të madh. Për Vogue, romani përfaqëson një debutim veçanërisht premtues në letërsinë bashkëkohore.

Në White River Crossing, Ian McGuire e çon lexuesin në hapësirat e ngrira të Gjirit Hudson në Kanada, në fund të shekullit XVIII. Një ekspeditë tregtarësh anglezë niset në kërkim të arit, por udhëtimi shndërrohet në një përballje me natyrën e ashpër dhe me popujt indigjenë të rajonit. Përtej aventurës, romani ndërton një rrëfim me tone tragjike mbi përplasjen mes ekspeditës dhe komuniteteve që ajo has gjatë rrugës. McGuire njihet edhe për romanin The North Water, i përshtatur në një serial të BBC-së.

Marrëdhëniet familjare marrin një tjetër dimension në librin This Is Not About Us nga Allegra Goodman. Përmes tregimeve të ndërlidhura, autorja paraqet të njëjtën familje nga këndvështrime të ndryshme, duke zbuluar mënyrën se si kujtimet, pakënaqësitë dhe keqkuptimet formësojnë lidhjet mes brezave. Historia nis me një konflikt mes dy motrave të moshuara për një tortë, por kjo mosmarrëveshje e vogël bëhet pikënisje për një eksplorim të ndjenjave të grumbulluara ndër vite, të marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve dhe të dashurisë që bashkëjeton me zhgënjimin.

Ndërkohë, Cecile Pin ndërthur shkencën me emocionet njerëzore në romanin Celestial Lights. Historia ndjek astronautin Ollie në periudha të ndryshme të jetës, nga dashuria e parë në Anglinë rurale deri te përfshirja në një program ambicioz hapësinor dhe udhëtimi dhjetëvjeçar drejt njërës prej hënave të Jupiterit. Ndërsa protagonisti dhe kolegët e tij përballen me largësinë dhe mallin për shtëpinë, romani vë përballë pafundësinë e hapësirës dhe intimitetin e një marrëdhënieje dashurie. Përmes këtij kontrasti, Pin shqyrton sakrificat që kërkon ndjekja e ambicieve dhe mënyrën se si zgjedhjet profesionale ndikojnë në jetën personale.

Përzgjedhja e "Vogue"-s pasqyron larminë e letërsisë së këtij viti, ku rrëfimet intime bashkëjetojnë me aventurat historike, satirën shoqërore dhe trillimin që shkon përtej kufijve të realitetit. Librat e veçuar ofrojnë mënyra të ndryshme për të eksploruar marrëdhëniet, identitetin, ambicien dhe përvojat që formësojnë jetën njerëzore. /KultPlus