Vrasjet në Gjilan, reagon kryetari: Nesër do të thërras në mbledhje urgjente Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka reaguar pas lajmit të fundit të vrasjes së një personi në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Kjo vrasje vjen pas tragjedisë së fundit që tronditi opinionin publik në Kosovë, ku u vranë motër dhe vëlla në Livoç të Gjilanit, kurse një tjetër familjar i viktimave mbeti i plagosur.

Hyseni përmes një postimi në Facebook u shprehu ngushëllime familjarëve, teksa tha se për të adresuar këtë gjendje, nesër në mëngjes do të thërras në mbledhje urgjente Këshillin Komunal për Siguri dhe Bashkësi.

"Komuna jonë po përballet me një situatë të rëndë pas dy ngjarjeve tragjike. Pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten, qyteti ynë u prek përsëri sonte nga një tjetër incident me pasojë humbjen e jetës. Në emër të Komunës së Gjilanit dhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këto dy ngjarje, ndërsa të lënduarve u uroj shërim të shpejtë".