Përdorimi i kokainës te të rinjtë rrit shqetësimin e ekspertëve

Substancat narkotike vazhdojnë të mbeten një problem shqetësues në Kosovë.

E shqetësim të veçantë paraqet fakti se përdorimi i tyre po prek gjithnjë e më shumë moshat e reja.

Vëmendje të veçantë po merr kokaina, përdorimi i së cilës, sipas ekspertëve, ka shënuar rritje gjatë katër viteve të fundit.

“Ajo çka po na shqetëson edhe vitin e kalum edhe këtë vit ne neve po na shqetëson kanë fillu shumë më shumë të rinjët të përdorin kokain. Pra nëse e krahasojm pesë vite më përpara ku grupmoshat që kanë përdor ose që janë paraqitur në Qendren ton kanë qenë 45-55 vjet tani ka ra dukshëm më posht 25-35 vjet”, thotw Safet Blakaj nga qendra “Labyrinth”.

Ndërkohë në Kliniken e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare për periudhën janar-shtator të këtij viti janë trajtuar 111 raste.

E sipas të dhënave të klinikës, grupmosha 27–36 vjeç përbën një nga grupet që kërkon më së shumti trajtim.

“Sipas të dhënave të raportuara nga Klinika e Psikiatrisë, numri i pacientëve të trajtuar sipas grupmoshave, për periudhat përkatëse të viteve 2025 dhe 2026, është si vijon: 1960–1969: 1 pacient në vitin 2025 dhe 4 pacientë në vitin 2026; 1970–1979: 6 pacientë në vitin 2025 dhe 10 pacientë në vitin 2026; 1980–1989: 23 pacientë në vitin 2025 dhe 19 pacientë në vitin 2026; 1990–1999: 38 pacientë në vitin 2025 dhe 49 pacientë në vitin 2026; 2000–2007: 37 pacientë në vitin 2025 dhe 25 pacientë në vitin 2026;  Mbi vitin 2007: 4 pacientë në secilin vit. Sa u përket pacientëve të mitur, sipas të dhënave të pranuara, në këtë kategori janë evidentuar nga 4 raste për secilin vit”, thuhet nga kjo klinikw.

Sipas ekspertëve, mungesa e programeve kombëtare për parandalimin e përdorimit të substancave narkotike e bën edhe më shqetësuese këtë situatë.

“Është shqetësuese për momentin edhe me tendenc që ka me shku edhe më keq, ne e dimë se çfarë ndodh në Evrop, në shtetet e regjionit këtu përreth neve. Ne kemi qenë dukshëm më mirë para 10 viteve sa i përketë sëpaku kontrollit se çfarë po ndodh me drogat në Kosovë”, thotë Blakaj.

Po çfarë pasoja sjell konsumi i këtyre lëndëve narkotike?

“Pasojat janë të shumta duke filluar që nga dëmtimi i kujtesës, i përqendrimit, pastaj kontrolli emocional, e rëndon nivelin e ankthit, e rëndon nivelin e depresionit, ka ç’rregullime të gjumit e të tjera”, tregon Ilir Havolli –specialist psikologjisë klinike.

Ndërkaq, identifikimi i hershëm i shenjave të përdorimit të substancave narkotike është i rëndësishëm për të ndërhyrë me kohë.

“Shenjat e para të cilat ne duhet të kishim mujt me identifiku tek këta indivit do të ishte një ndryshim i papritur në sjellje, një izolim nga familja, pastaj ule e suksesit apo rënie e suksesit në shkoll, ndërimi i shoqërisë dhe dëshira sa më e madhe e këtyre personave me përdor substanca”, thotë Havolli.

Tëvë1 ka kërkuar të dhëna nga Policia e Kosovës lidhur me rastet e përdorimit apo shitjet së narkotikëve, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj kronike./teve1