Pas krizës politike, kërkohet punë

Me funksionalizimin e institucioneve shtetërore, sfida e radhës për Kosovën mbetet përkthimi i stabilitetit politik në rezultate konkrete. Përshpejtimi i reformave evropiane, zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, sipas njohësve të fushës, janë ndër prioritetet që kërkojnë vëmendje. Njohësit e politikës theksojnë se, pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik, bashkëpunimi ndërmjet pozitës dhe opozitës është i domosdoshëm për çështjet me rëndësi shtetërore.

Pas funksionalizimit të të gjitha institucioneve shtetërore, vëmendja është zhvendosur te vendimet që duhet t’i ketë prioritet qeverisja e re, e po ashtu bashkëpunimi pozitë-opozitë për të shtyrë para çështje të rëndësishme për vendin.

Për njohësin e politikës, Mazllum Baraliu, rruga euroatlantike e Kosovës, Plani i Rritjes, mbrojtja e katërshes së UÇK-së në Hagë, e zhvillimi ekonomik i vendit duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të kësaj qeverisjeje.

 “Duhet të miratohen ligjet që të bëhen reformat që kërkesa jonë të trajtohet sa më parë për kandidat për anëtarësim në BE. Pa lënë anash edhe planin e brendshëm, zgjedhjen e problemeve, veçanarisht të kategorive të dëmtuara si pensionistët, fëmijët dhe të papunësuarit”, tha ai.

“Rreth gjysmë miliardë euro ose rreth 500 milionë euro janë në pritje që duhet t'i marrë shteti i Kosovës nga këtë fonde, qoftë nga Plani i Rritjes, qoftë edhe nga fondet e IPA-s, në këtë rast, të marrëveshjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me të gjitha sektorët e jetës në Kosovë, si të sektorit të arsimit, ekonomisë apo edhe të drejtësisë“, theksoi Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës.

Njohësit e fushës vlerësojnë se Kosova ka humbur shumë për shkak të ngërçit të gjatë politikë, andaj thonë se pozitë e opozitë duhet të jenë bashkë para proceseve të rëndësishme që e presin vendin.

“Tashmë do të duhet gjithsesi që të punojnë së bashku. Në aspektin e bllokadës që kemi pasur politike mbi dy vite e sa, dëmet janë kolaterale, por janë edhe esenciale, të shumta dhe të pariparueshme. Gjithsesi edhe në imazh, edhe në rating, edhe në prestigj”, deklaroi Baraliu.

Stabiliteti institucional tani po kërkohet që të dëshmohet edhe përmes punëve për të rritur zhvillimin ekonomik.

“Inflacioni e gërryen qytetarin e Kosovës. Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin edhe përmes meadiumit tuaj, t'i bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që ta marrë shumë seriozisht e ta ndërmarrë një paketë që do t'i ndihmonte sado pak në zbutjen e inflacionit. Për shkak se do të kemi një rritje edhe më të madhe të inflacionit dhe një ulje më të madhe të standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovë", thotë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjatë kësaj jave, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një sërë projektligjesh dhe marrëveshjesh të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa të hënën do të mblidhet sërish kryesia për të caktuar seancën e ardhshme.

Njohësit e fushës kanë kërkuar po ashtu që të punohet drejt tërheqjes së investimeve të huaja, sundimit të ligjit, e realizimit të projekteve të rëndësishme në shëndetësi, arsim e fusha të tjera./rtk