"Bayerni dhe PSG-ja, favoritë për Champions"

Marco Amelia e sheh Bayern Munichun dhe Paris Saint-Germainin si favoritët kryesorë për ta fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa mendon se Interi mund të shkojë larg në këtë garë, por e ka të vështirë ta vendosë mes pretendentëve kryesorë.

Ish-portieri italian, në një intervistë për SportWeek, ka vlerësuar cilësitë e skuadrës së drejtuar nga Vincent Kompany, duke theksuar se bavarezët kanë gjithçka që u nevojitet për ta fituar trofeun më të rëndësishëm evropian për klube.

“Liga e Kampionëve është një garë shumë e vështirë, e gjatë dhe plot pengesa. Për këtë arsye, shumë skuadra mund ta fitojnë dhe këtë vit nuk bën përjashtim”, u shpreh Amelia.

“Njëra prej tyre është padyshim PSG-ja, por, sipas mendimit tim, Bayern Munichu mund të jetë gati për t’ua marrë fronin parisienëve. I vendos në mesin e favoritëve kryesorë, sepse kanë një skuadër solide, lojtarë cilësorë dhe tashmë edhe përvojë të madhe ndërkombëtare. Ndoshta ka ardhur momenti i duhur për ta fituar sërish trofeun më të rëndësishëm”, deklaroi ai.

Amelia veçoi edhe repartin ofensiv të Bayernit, duke përmendur në veçanti Harry Kane dhe Michael Olise, të cilët i konsideron futbollistë të nivelit të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, sipas tij, forca kolektive mund të jetë faktori vendimtar për suksesin e bavarezëve.

Amelia flet edhe për Interin

Ish-portieri italian nuk i ka përjashtuar nga gara as Barcelonën dhe Real Madridin, duke theksuar se të dyja skuadrat kanë potencial për ta fituar Championsin.

Sa i përket klubeve italiane, Amelia beson se Interi ka mundësi të bëjë rrugëtimin më të gjatë në këtë kompeticion, kryesisht falë gjerësisë së skuadrës.

“Barcelona dhe Real Madridi nuk duhen harruar. A do të jenë protagoniste? Po. A mund ta fitojnë trofeun? Përsëri po. Kjo tregon se sa e vështirë është të bësh parashikime”, tha ai.

“Ndër skuadrat italiane, Interi mund të shkojë më larg, sidomos falë një skuadre të gjerë. Megjithatë, e kam të vështirë ta vendos mes favoritëve për triumfin përfundimtar”, përfundoi Amelia. /Zëri