Modric: Në futboll duhet ta dëshmosh vlerën çdo ditë, presioni më bën të luaj më mirë
Luka Modric ka folur hapur për presionin dhe pritshmëritë që shoqërojnë futbollistët e nivelit të lartë, duke pranuar se ai ndihet më mirë kur është nën presion.
Mesfushori kroat i Milanit ishte protagonisti i parë i projektit “The Chamber”, të prezantuar nga klubi italian me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.
Ky projekt trajton shëndetin mendor dhe sfidat psikologjike në botën e sportit.
“Për të qenë i sinqertë, më pëlqen të kem presion, sepse ndiej se luaj më mirë nën presion sesa kur jam i relaksuar”, u shpreh Modrië.
Fituesi i Topit të Artë në vitin 2018 theksoi se në futboll, pavarësisht arritjeve të mëparshme, një lojtar duhet ta dëshmojë vazhdimisht vlerën e tij.
“Në jetë duhet ta dëshmosh vlerën tënde çdo ditë, sidomos në sport dhe në futboll. Çdo ditë sjell diçka të re dhe duhet të vazhdosh të përmirësohesh, duke dëshmuar se sa vlen, sepse njerëzit i harrojnë shpejt ato që ke bërë në të kaluarën. Duhet të dëshmosh gjithçka nga e para, vazhdimisht”, deklaroi kroati.
Modric pranoi se kjo nuk është gjithmonë e lehtë, por e konsideron pjesë të natyrshme të jetës dhe sportit.
“Ndonjëherë është e vështirë, por kështu funksionojnë jeta dhe sporti. Unë paraqitem mirë nën këtë lloj presioni dhe e përjetoj me kënaqësi”, përfundoi 41-vjeçari. /Zëri