“Java e Shkencës 2026”, studiues dhe studentë bashkohen në Tiranë për kërkimin shkencor

Shkencëtarë, inxhinierë, profesorë dhe studentë do të mblidhen në Tiranë në kuadër të veprimtarisë “Java e Shkencës 2026”, e cila do të zhvillohet në datat 12–15 tetor, me synim nxitjen e kërkimit shkencor, shkëmbimin e përvojave akademike dhe krijimin e bashkëpunimeve të reja.

Akademia e Shkencave njoftoi se veprimtaria organizohet nga Instituti Kombëtar i Fizikës pranë ASHSH dhe Departamenti i Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.

Përgjatë katër ditëve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të prezantojnë punën dhe kërkimet e tyre, të ndajnë përvoja profesionale e akademike dhe të krijojnë kontakte të reja për bashkëpunime në projekte kërkimore, botime të përbashkëta dhe mobilitet akademik, si edhe për iniciativa që lidhin universitetet me industrinë.

Hapja zyrtare e “Javës së Shkencës 2026” do të zhvillohet të hënën, më 12 tetor, në orën 12:00, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave.

Në datën 13–15 tetor, aktivitetet do të vijojnë në sallën 412B, në departamentin e Fizikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Veprimtaria synon të forcojë komunikimin mes komunitetit shkencor dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e kërkimit dhe bashkëpunimit akademik në Shqipëri.