Haaland u dërgon mesazh tifozëve të Man Cityt: Të qëndrojmë të bashkuar dhe të buzëqeshim

Erling Haaland ka bërë thirrje për unitet dhe optimizëm te Manchester City, në një moment delikat për klubin anglez, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me çështjen e shkeljeve të pretenduara financiare në Premierligë.

Sulmuesi norvegjez ka zgjedhur t’u dërgojë një mesazh qetësues tifozëve të Cityt, duke kërkuar që të qëndrojnë pranë skuadrës dhe të mos humbasin pozitivitetin, pavarësisht situatës.

I pyetur se çfarë mesazhi do t’u përcillte tifozëve para përballjes me Liverpoolin, Haaland theksoi rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes së ndërsjellë.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Duhet të jemi pranë njëri-tjetrit dhe të mbetemi pozitivë. Pavarësisht se çfarë ndodh në jetë, duhet të kemi gjithmonë një buzëqeshje”, u shpreh norvegjezi për Sky Sports UK.

Ai shtoi se skuadra duhet të shikojë përpara, të përqendrohet te futbolli dhe të vazhdojë të luftojë për fitore.

“Duhet të qëndrojmë pozitivë, të shikojmë përpara, të përpiqemi të fitojmë ndeshjet dhe ta shijojmë këtë rrugëtim. Duhet të jemi pranë njëri-tjetrit dhe të përhapim dashuri. Qëndroni të bashkuar, shijojeni rrugëtimin dhe buzëqeshni”, deklaroi Haaland.

Sulmuesi norvegjez theksoi gjithashtu lidhjen e veçantë që ka me tifozët e Manchester Cityt.

“Më interesojnë shumë tifozët, sepse edhe unë jam tifoz dhe i kuptoj ndjenjat e tyre”, shtoi ai.

Ndërkohë, Manchester City vazhdon të mbrojë pafajësinë e tij në çështjen financiare, duke kundërshtuar vendimin e fundit dhe duke pretenduar se ai përmban gabime ligjore dhe faktike.

Në këtë atmosferë pasigurie, mesazhi i Haalandit synon të ruajë qetësinë dhe besimin brenda klubit, ndërsa skuadra përgatitet për sfidat e radhës, përfshirë përballjen e rëndësishme me Liverpoolin.

Për Cityn, sfida nuk është vetëm në fushën e lojës, por edhe ruajtja e unitetit në një periudhë kur vëmendja është përqendruar te zhvillimet jashtë saj. /Zëri