SC Gjilani i ndan rrugët me trajnerin Debatik Curri
Gjilani ka njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me kryetrajnerin Debatik Curri.
Vendimi i klubit gjilanas vjen vetëm një ditë pas humbjes 1:0 ndaj Vushtrrisë, skuadër që para kësaj përballjeje nuk kishte arritur të regjistronte asnjë pikë në kampionat.
Humbja ndaj Vushtrrisë duket se ka qenë momenti pas të cilit palët kanë vendosur t’i ndajnë rrugët, ndonëse klubi nuk ka dhënë detaje shtesë rreth arsyeve të këtij vendimi.
Përmes një komunikate zyrtare, Gjilani ka falënderuar Currin për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës profesionale.
“Sport Club Gjilani e konsideron të rëndësishme ruajtjen e raporteve korrekte dhe profesionale, duke e mbyllur këtë kapitull me respekt të ndërsjellë dhe mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm”, thuhet në njoftimin e klubit.
Gjilani ka bërë të ditur se për zhvillimet e ardhshme lidhur me organizimin e shtabit teknik do ta informojë opinionin publik me kohë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Kështu, humbja nga Vushtrria pasohet me një ndryshim në stolin e Gjilanit, ndërsa mbetet të shihet se kush do ta marrë drejtimin e skuadrës në vazhdim të sezonit.