Shtohen rastet e gripit

Vjeshta është periudha kur shtohen rastet e gripit sezonal. Megjithatë, procesi i vaksinimit kundër gripit për këtë vit në Kosovë pritet të nisë me vonesë, pasi vaksinat ende nuk kanë arritur në vend për shkak të një problem global në prodhim. E deri në fillimin e vaksinimit, qytetarëve u këshillohet të marrin masa mbrojtëse për shëndetin pasi rastet e gripit sezonal janë shtuar dukshëm.

Që nga fillimi i sezonit të vjeshtës, në qendrat e mjekësisë familjare është shtuar fluksi i pacientëve që kërkojnë trajtim. Vetëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani, çdo ditë marrin shërbime deri në 200 pacientë, ku një numër i madh i të cilëve paraqiten janë me simptoma të gripit.

Sipas Nesrije Paqaradës, specialiste e mjekësisë familjare, simptomat e gripit po prekin të gjitha grupmoshat, nga fëmijët deri te të moshuarit. Ajo thekson se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e gripit sezonal.

"Vaksinimi kundër gripit gjithmonë ka qenë më efikas, prej viteve kur ne e përdorim, e shohim që numri i të sëmurëve është më i vogël. Kategoritë të cilat mund ta marrin këtë vaksinë janë kryesisht të moshuarit, por edhe të rinjtë ose moshat e tjera që kanë probleme shëndetësore, në mënyrë që të mos u komplikohet sëmundja nëse preken edhe nga gripi", tha ajo.

Megjithatë, vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili ishte paraparë të fillonte në javën e parë të tetorit, nuk do të nisë sipas planit, pasi vaksinat ende nuk kanë arritur në Kosovë.

Sipas Institutit të Shëndetësisë Publike, vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë më 21 tetor. Sipas njoftimit, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave kundër gripit është ndikuar nga disa ndryshime që kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit në nivel global, përfshirë edhe Kosovën.

Deri në ardhjen e vaksinave, qytetarët po vazhdojnë të marrin masa mbrojtëse për t'u ruajtur nga gripi sezonal.

"Po, ne zakonisht ushqehemi pak a shumë rregullisht. Kur është ftohtë ose nxehtë, i koordinojmë daljet, se kemi kohë si pensionistë. I përdorim çajrat dhe kujdesemi për veten, aq sa mundemi", tha një qytetar. 

"I marrim rregullisht vaksinat dhe ua rekomandoj të gjithëve që ta marrin vaksinën, sepse me të vërtetë janë shumë të dobishme", theksoi tjetri qytetar.

Mjekët këshillojnë që personat me simptoma të gripit të ruhen në ambiente familjare. Gjithashtu kërkohet kujdes i shtuar ndaj higjienës personale, përdorim i maskave, konsumim i lëngjeve dhe shmangie nga ambientet e mbipopulluara./rtk