Cakolli: Mbarështimi i dhive dhe i deleve është fitimprurës

Fermeri Ramush Cakolli nga fshati Krilevë i Malësisë së Gollakut, nga mbarështimi i dhive të kuqe dhe deleve, thotë se po arrin të fitojë mirë. Përveç fitimit ekonomik, ai thotë se po arrin të përfitojë edhe në aspektin shëndetësor pasi po ushqehet shëndetshëm. Apeli i tij për institucionet është që, krahas rritjes së subvencioneve, të shtohet mbështetja dhe kontrolli për prodhime më të shumta bio.

Në Malësinë e Gollakut jeton dhe punon duke u marrë me blegtori, fermeri Ramush Cakolli nga fshati Krilevë, i cili në fondin e tij blegtoral posedon dhi të kuqe dhe dele. Ai sqaron se bujqësinë dhe blegtorinë e kanë trashëgimi, derisa na bënë të ditur se kjo veprimtari është fitimprurëse.

"Vlera që na japin dhitë është e bollshme çmimi është i mirë, diku 5 deri 6 euro është kilogrami i mishit, e qumështit është 2,5 euro një litër e kështu kur të mblidhen krejt në fund të muajit plus subvencionet është një burim i bollshëm", tha Ramush Cakolli, fermer.

Ai shpjegon se kanë kullosa të bollshme falë edhe largimit të fshatarëve nga fshati, derisa përparësi për ta është edhe jetesa e shëndoshë pasi ushqehen me prodhime bio.

“Konsumatori duhet ta dijë se çfarë po blen. Nëse blen në ferma, blen mish të pastër, bio dhe natyral, por produkti duhet të jetë i pajisur edhe me matrikull. Çdo kec që blihet duhet ta ketë matrikullin dhe numrin e regjistrimit në AVUK, në mënyrë që të dihet sa muajsh është. Nëse blihet pa matrikull, atëherë nuk është prodhim i yni. Për atë që qytetarët blejnë nëpër tregje, i njoftoj se nuk është prodhim vendor”, shtoi ai.

Fermeri Cakolli apelon tek institucionet lokale dhe qendrore që krahas kërkesës për shtim të vlerës së subvencionimit në bujqësi dhe blegtori që të prodhohen maksimalisht prodhime BIO, derisa kontrolli do të ishte çelës i suksesit dhe inkurajim që të prodhojmë sa më shumë prodhime vendore.