Patatja në Kosovë me rendiment më të lartë se vitin e kaluar

Këtë vit edhe kultura e patates ka rendiment më të lartë sesa vitin e kaluar. Ekspertë të bujqësisë thonë se në rritjen e cilësisë dhe sasisë së patates, krahas kushteve klimatike, ka ndikuar edhe mbjellja intensive e kësaj kulture tash e shumë vite në Kosovë.

Sezoni vjeshtor i vjeljes së patates si prodhim i rëndësishëm i vendit arriti rezultate të kënaqshme si në cilësi dhe sasi për hektar.

Agronomi Agran Halimi shpjegon se për të arritur prodhim cilësor, nevojitet përkushtim nga fara cilësore dhe profilet e tjera në zinxhirin e prodhimit të patates.

"Po të krahasojmë me vitet e kalume disa varitete kanë qenë shumë më mirë se vitin e kaluar, disa janë si vitin e kaluar. Ndonëse në regjion ka mungesë të patates dhe rënie të rendimentit, tek ne në Kosovë rendimenti është më i mirë se vitin e kaluar", tha ai.

Arritja e rezultateve të larta për këtë kulturë, sipas ekspertëve të bujqësisë, ndërlidhet me zhvillimin e prodhimtarisë intensive të patates tash e sa vite në Kosovë.

"Prodhimtaria intenzive e patates organizohet për vitet të tëra në Pestovë dhe tani kjo është traditë, është prodhimtari intenzive, zbatohet një teknologji e lartë e prodhimit prej qarkullimit bimor deri te masat e përkujdesit dhe vjleja përfundimtare në raport me kultura tjera po them që patatja është për lakmi", thotë Imer Rusinovci, profesor universitar.

Rusinovci shton se për zhvillim të mëtejmë të këtij sektori nevojitet që të shtohen edhe më tej shërbimet këshillimore.

"Kosova duhet ta ketë një emërues të përbashkët funksional të prodhuesve, përpunuesve e të shërbimeve këshillimore", pohoi ai.

Agronomi Halimi shton se për të ruajtur cilësinë e patates gjatë dimrit, deponimi i saj duhet të kryhet në mënyrë profesionale. 

"Kryesisht patatja futet në depo nga 18 deri në 22 gradë celsius dhe ruhet në temperaturë 8 gradë celcius. Është e rëndësishme të ceket nga 22 ose 18 gradë sa është futë duhet të zbret në 8 por jo më shumë se 0,5 gradë në ditë dhe në këtë format gjithqka është automatike përcillet lagshtia, temperatura edhe sasia e dioksidid të karbonit", tregoi ai.

Kosova tashmë njihet si vend që arrin të prodhojë sasi të konsiderueshme të patates së freskët, asaj që përdoret për përpunim, për treg vendor dhe të jashtëm./RTK