Bersant Celina e ka rigjetur vetën në Arabinë Saudite, e shënon golin e dytë sezonal

Mesfushori kosovar, Bersant Celina ka shënuar gol në barazimin e Al-Ettifaq ndaj Al-Khaleej në Ligën Profesionale të Arabisë Saudite.

30-vjeçari ia dhuroi skuadrës së tij një pikë në ndeshjen e sontme, pasi me golin e tij e barazoi rezultatin në 1-1.

Al-Khaleej shënoi i pari në ndeshje, me anë të Joshua King në minutën e 68-të, i cili shënoi nga pika e bardhë, shkruan Express.

Tetë minuta më vonë, në minutën e 76-të më saktësisht, ylli dardan e gjeti golin e barazimit – një goditje e bukur për toke, pas një depërtimi mes futbollistëve kundërshtarë.

Ky ishte goli i dytë i Celinës në Arabinë Saudite, në tetë ndeshjet e para në elitë.

Ai u transferua këtë verë nga AIK-u suedez, si transferim i lirë, teksa ka kontratë me klubin saudit deri në qershor të vitit 2029.