Vushtrria arrin fitoren e parë në Superligë, mposht Gjilanin

Vushtrria ka regjistruar fitoren e parë në edicionin e ri, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat minimal 1:0, pas shtatë humbjeve radhazi.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku skuadra vushtrriase luajti në rolin e vendasit dhe arriti të sigurojë tri pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë.

Hero i Vushtrrisë ishte Urim Statovci, i cili shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 60-të, duke i dhënë fund serisë negative të skuadrës së tij.

Pas ndeshjes, klubi i Vushtrrisë falënderoi tifozët për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë takimit.

“Tri pikë të rëndësishme sot në Podujevë! Goli i Urim Statovcit në minutën e 60-të vendosi ndeshjen. Faleminderit tifozëve ‘Forca’ që ishin me ne gjatë gjithë ndeshjes”, thuhet në reagimin e klubit.

Pavarësisht fitores, Vushtrria vazhdon të mbetet në fund të tabelës, por tashmë me tri pikë të grumbulluara. Në anën tjetër, Gjilani renditet në vendin e pestë me 11 pikë.