Allardyce i ashpër me Ronaldon: Dikush duhet t’i thotë se është koha të largohet

Sam Allardyce, ish-përzgjedhës i Anglisë, e ka dhënë një mendim të drejtpërdrejtë për situatën e Cristiano Ronaldos te Kombëtarja e Portugalisë, duke thënë se dikush duhet t’i tregojë yllit 41-vjeçar se ka ardhur koha të largohet.

Në një intervistë për podcastin “No Tippy Tappy Football”, trajneri anglez foli për polemikat e fundit rreth Ronaldos, i cili u largua para kohe nga grumbullimi i Portugalisë pas mosmarrëveshjeve me përzgjedhësin Jorge Jesus.

“Herët a vonë, dikush duhet ta këpusë këtë lidhje dhe ky trajner nuk është nga ata që i shmangin gjërat”, deklaroi Allardyce, duke iu referuar Jorge Jesusit.

Ai vlerësoi se trajneri portugez është një profesionist i shkollës së vjetër, i drejtpërdrejtë dhe i gatshëm të marrë vendime të vështira.

“Duhet ta ulësh në zyrë dhe t’i thuash: Mjaft!”

Allardyce e kujtoi edhe largimin e Ronaldos nga Manchester Unitedi, ku sulmuesi portugez u largua pas përplasjeve me trajnerin Erik ten Hag.

“Herët a vonë, duhet ta largosh një lojtar. Duhet ta ulësh në zyrë dhe t’i thuash drejtpërdrejt: ‘Tani mjaft. Më vjen keq, por mendojmë se nuk je më në nivelin që kërkojmë’”, u shpreh ai.

Sipas Allardyce, kjo është pjesë e pashmangshme e futbollit, pasi koha ndikon te të gjithë lojtarët, pavarësisht emrit dhe karrierës që kanë ndërtuar.

Ai e pranoi se një vendim i tillë është i vështirë për t’u pranuar nga futbollistët, duke treguar se edhe vetë nuk do ta kishte përjetuar mirë një situatë të tillë.

“Ronaldo është njëri nga më të mëdhenjtë, por duhet të mendojë për ekipin.”

Pavarësisht kritikave, trajneri anglez nuk i mohoi meritat e jashtëzakonshme të Ronaldos, duke e cilësuar atë një prej futbollistëve më të mëdhenj që ka parë futbolli.

“Është njëri nga lojtarët më të mëdhenj që kemi parë ndonjëherë. Nuk ka shumë futbollistë që kanë treguar përkushtim si ai. Është kjo përkushtim që të mban në majat e futbollit dhe të lejon të luash më gjatë se të tjerët”, tha Allardyce.

Megjithatë, ai theksoi se në fund interesat e skuadrës duhet të jenë mbi ato individuale.

“Është shumë e vështirë për të, por mendoj se duhet të dimë të largohemi me dinjitet. Ai është, pa dyshim, një lojtar i jashtëzakonshëm. Të zgjasësh kaq shumë në këtë nivel është një meritë e madhe. Por, herët a vonë, dikush – dhe ky trajner ka guximin ta bëjë – duhet t’i thotë: ‘Duhet të largohesh’”, përfundoi Allardyce.

Ndërkohë, e ardhmja e Ronaldos te Portugalia mbetet temë diskutimi pas përplasjes me Jorge Jesusin.

Trajneri dhe Federata Portugeze kanë lënë të hapur mundësinë e rikthimit të kapitenit, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të varet nga vetë futbollisti dhe zhvillimet e ardhshme. /Zëri