Për sa kohë është suspenduar Cristiano Ronaldo nga Kombëtarja e Portugalisë?
Cristiano Ronaldo është pezulluar përkohësisht nga Federata Portugeze e Futbollit, pas polemikave të fundit me përzgjedhësin e Portugalisë, Jorge Jesus.
Komisioni Disiplinor i Federatës Portugeze ka hapur procedurë disiplinore ndaj yllit të Al Nassr, pas largimit të tij nga grumbullimi i Kombëtares në Kopenhagë, në prag të ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se procedura është cilësuar urgjente, ndërsa Ronaldo është vendosur nën pezullim të përkohshëm, derisa të shqyrtohen rrethanat e rastit.
“Procedura disiplinore ndaj Cristiano Ronaldo dos Santos Aveiro është iniciuar më 9 tetor 2026, me qëllim të vlerësimit të rëndësisë së mundshme disiplinore të fakteve të raportuara më 7 tetor. Përveç pezullimit automatik parandalues, të cilit lojtari i ishte nënshtruar deri në hapjen e procedurës, është vendosur edhe pezullimi i përkohshëm joautomatik dhe çështja është cilësuar urgjente”, thuhet në komunikatën e federatës.
Dosja i është përcjellë Komisionit të Hetimeve Disiplinore më 10 tetor, ndërsa detajet e hetimit nuk do të bëhen publike deri në përfundimin e procedurës.
Përplasja me Jorge Jesusin
Ronaldo u largua nga grumbullimi i Portugalisë pas pakënaqësive të shkaktuara nga mosaktivizimi i tij në ndeshjen ndaj Norvegjisë, pavarësisht se ishte dërguar për t’u ngrohur.
Kapiteni portugez pretendoi se trajneri Jorge Jesus nuk e kishte respektuar marrëveshjen e tyre për minutat e lojës dhe më pas nuk e kishte sqaruar situatën sipas asaj që kishin diskutuar privatisht.
Pas largimit, 41-vjeçari kërkoi falje për veprimet e tij dhe pranoi se mund të përballej me pasoja disiplinore.
Megjithatë, ai theksoi se mbetet i gatshëm të luajë sërish për Portugalinë pas vuajtjes së dënimit eventual.
Sipas rregullores disiplinore portugeze, braktisja e pajustifikuar e grumbullimit të Kombëtares mund të dënohet me pezullim nga një deri në gjashtë muaj, si dhe me gjobë.
Për momentin, nuk është bërë e ditur kohëzgjatja përfundimtare e dënimit të Ronaldos. Vendimi do të varet nga përfundimet e procedurës disiplinore. /Zëri